Dhjetorin e vitit 2008, Izraeli nisi bombardimin 23-ditësh të Gazës, duke marrë jetën e 1400 civilëve. Dy vjet më pas, një brez i tërë fëmijësh po rritet mes gërmadhave dhe mbeturinave të atij sulmi famëkeq, që traumatizoi një popull të tërë dhe për të cilin ende drejtësia nuk është vënë në vend
Duart e Ghiada abu Elaish qëndrojnë bërë grusht mbi gjunjët e mbledhur, ndërsa vështrimi i mjegullohet kur sjell ndërmend ditën kur një izraelit vrau katër kushërinjtë e saj dhe e la atë vetë në gjendje kome për 22 ditë. Tashmë nga ato ditë tragjike kanë kaluar thuajse 2 vjet gjatë të cilëve vajza ka pasur kohë të mendohet dhe të “lëpijë plagët” e një tragjedie të beftë dhe të padrejtë. Por fatkeqësisht, gjatë kësaj kohe ajo ka ushqyer dhe gjeneruar brenda vetes edhe shumë urrejtje dhe mllef. Dhe vajza është vetëm 13 vjeç. Megjithatë, ajo në vetvete përbën një mrekulli të vogël që gjallon gërmadhave. Pavarësisht goditjeve të rënda fizike dhe shpirtërore të një viti më parë, arriti që të mbijetonte edhe pse për këtë iu nënshtrua shumë ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërkohë që i duhet të bëjë edhe disa të tjera vitin e ardhshëm. Dhe më e mrekullueshmja është fakti që në fytyrën e saj, pas momenteve të errëta kur kujton dhimbjen, shndrit sërish fuqishëm dielli i një buzëqeshjeje rrezëllitëse. Veç buzëqeshjes ajo ka edhe shumë besim në një të ardhme më të mirë për veten dhe ata që i kanë mbijetuar dhimbjes. Dhe kjo dhimbje nisi kështu…
Ishte 16 janar, e premte. Viti 2009 sapo kishte nisur dhe vogëlushja po mësonte për provimet. I ati, një farmacist, u çua pas një dremitjeje të shkurtër në divanin e kuzhinës për të përgatitur një çaj dhe ndërkohë u bërtiti të vegjëlve të tjerë që ndodheshin në dhomë që të rrinin të qetë. “Befas dëgjova kushëririn tim, që ndodhej një kat më poshtë të bërtiste me sa kishte në kokë: Vdekje, vdekje!!!”. Një raketë kishte goditur ndërtesën që ndodhej në një bllok apartamentesh në të cilën jetonte edhe familja Abu Elaish. Si pasojë e raketës u shkatërruan mure e u thyen xhama në disa apartamente. E përfshirë nga paniku, Ghiada u kap pas të atit dhe e ndoqi atë në katin e poshtëm. “Njëra nga dhomat ishte bërë shkrumb e hi. Në mesin e saj pashë Ayan, kushërirën time të shtrirë në dysheme me një plagë të madhe mbi gjoks. Në mur pashë një vrimë shumë të madhe që duhet të ishte shkaktuar nga raketa”. Në këto e sipër e përfshirë nga tmerri Ghiada u përpoq që të tërhiqte të kushërirën për ta çuar në një vend më të sigurt, por ndërkaq një tjetër raketë goditi sërish. “Ishte një dritë e shndritshme dhe e beftë që zgjati vetëm një sekondë. Më pas dritaret bëheshin copash dhe më pas dëgjova ulërima ngjethëse. Një copë metalike më goditi në kokë. Nisa të thërras për ndihmë dhe më pas nuk më kujtohet gjë tjetër, sepse rashë në një komë të thellë që zgjati disa javë”.
I ati i Ghiada-s, Ata Mohammed abu Elaish, nxitoi drejt së bijës. “Pashë dhomën të mbushur me trupa të shtrirë e të përhumbur. Ishin trupat e njerëzve të mi të bërë copash, trupa fëmijësh pa këmbë e kokë. Pashë pastaj time bijë dhe të ëmën mbi të që qante e ulërinte. Nxitova të thërras ambulancën. Izraelitët e kishin ndalur makinën e ambulancës 250 metra larg shtëpisë. Atëherë mora disa djem dhe nisëm të ngarkonim trupat në kurriz për t’i çuar vetë deri te makina”, rrëfen babai i Ghiada-s. Sulmi që rrënoi një familje të tërë dhe mori menjëherë jetën e katër fëmijëve ishte një nga të shumtit që u kryen ditëve kur hebrenjtë bombarduan Gazën. Ishte një sulm që zgjati 23 ditë, një operacion që nisi më 27 dhjetor dhe që shkaktoi një tmerr të vërtetë te civilët. Xhaxhai i Ghiada-s punonte në një spital hebre dhe njihej për pikëpamjet e tij paqësore dhe pajtuese mes hebrenjve dhe palestinezëve. Gjatë gjithë konfliktit xhaxhai kishte dhënë me telefon për një televizion izraelit lajme për sulmet dhe situatën në Gaza, por ditën kur ndodhi tragjedia në familjen e tij ai doli duke qarë e duke kërkuar ndihmë për fëmijët që i ishin vrarë. Ishin 3 fëmijë, Bissan 20 vjeç, Miar 15 vjeç, Aya 14. Bashkë me ta edhe një tjetër kushëri 17-vjeçar. Ghiada vetë ishte në një situatë shumë kritike shëndetësore dhe në luftë mes jetës dhe vdekjes. Një pjesë e të plagosurve u evakuuan në një spital në Tel Aviv dhe kjo falë lidhjeve të xhaxhait me televizionin hebre. Në Tel Aviv, 13-vjeçarja iu nënshtrua një kure intensive, por problemet shëndetësore që kishte ishin të jashtëzakonshme. Si pasojë ndenji në spital për 5 muaj dhe kur doli të paktën mund të ecte vetë. Zemra e saj vazhdon të dhembë për ata që nuk janë më. “Kur më vjen për të qarë nuk dua që të më shohin të tjerët dhe gjithmonë largohem e mbyllem në dhomën time”. A ndihet e inatosur? “Jo, vetëm e trishtuar. Por ajo që kam vendosur që të bëj është të vazhdoj të qëndroj të jetoj në Gaza, edhe pse pas asaj që ka ndodhur shumë palestinezë kërkojnë të gjejnë një mënyrë për të emigruar. “Ndoshta të tjerët do të donin të emigronin, por jo unë.”
Por nëse Ghiada nuk reflekton urrejtje, kjo nuk vlen për njerëzit e saj të afërm. I ati është rebeluar shumë dhe po ashtu edhe pjesa tjerë e familjes. “Është shumë e vështirë dhe e rëndë për ne. Ishte një tragjedi që na mori engjëjt tanë, fëmijët e dashur dhe shkatërroi përfundimisht jetën e tim vëllai”, rrëfen babai i Ghiada-s. Pas vrasjes së tre fëmijëve, xhaxhai i saj ka shkuar në Kanada. Goditja me raketa ndaj civilëve, ndaj një familjeje të tërë ishte vërtet tragjike dhe aq e dhimbshme sa krijoi një dhimbje dhe indinjatë të madhe edhe te populli hebre, por e keqja vazhdon të mbretërojë sërish në tokën e Gazës dhe ata që vazhdojnë të vuajnë pasojat e luftës, varfërisë dhe izolimit janë 750 000 fëmijët, që përbëjnë gjysmën e popullsisë së zonës. Gjatë konfliktit humbën jetën mbi 1400 vetë dhe kjo vetëm brenda një periudhe 23-ditore të sulmeve të hebrenjve. Një pjesë e madhe e viktimave ishin fëmijë. Në fakt, numri i tyre është ende i pasaktë dhe shifrat variojnë sipas burimeve të ndryshme. Por mendohet që në konflikt humbën jetë mbi 446 fëmijë, 40% e të cilëve ishin nën moshën 10 vjeç dhe u plagosën 1600 të mitur të tjerë. Por lufta 23-ditëshe është vetëm një pjesë e kësaj historie tragjike. Historia e gjatë e sulmeve të Izraelit ndaj Gazës është shumë e gjatë dhe përveç kësaj bllokada prej 2 vitesh e gjysmë që u vendos pas marrjes së pushtetit nga ana e “Hamas”-it ka shkatërruar rëndë jetën e njerëzve dhe ka masakruar ekzistencën e fëmijëve të shumtë të këtij vendi. Ata që mbijetojnë bëjnë një jetë shumë të vështirë me një shkollim që ndërpritet vazhdimisht, pa lojëra, me një mungesë ushqimesh, pa veshje dhe pa të ardhme. Sipas një studimi të fundit doli që 75% e fëmijëve të Gazës mbi moshën 6 vjeç vuanin nga një apo më shumë simptoma post-traumatike të stresit. Pjesa më e madhe e fëmijëve vuajnë nga pasoja që kanë të bëjnë me situatat e rënda të përjetuara në moshë të njomë, të cilat i kanë lënë me trauma të thella. Thuajse të gjithë fëmijët karakterizohen nga ndjenja pasigurie, frike, mungese fuqie dhe prani të vazhdueshme ankthi. Disa madje janë bërë edhe agresivë. Sipas një psikologu në Universitetin e Gazës konflikti ka një ndikim të ndryshëm mbi vajzat dhe mbi djemtë. Vajzat janë më të pritura për të pasur ankth dhe depresion, ndërsa djemtë janë më hiperaktivë. Disa fëmijë nuk e konsiderojnë më shtëpinë si vendin ku gjejnë mbrojtje dhe qetësi, por si një vend ku mund të përballen me të keqen dhe tragjedinë. Por ka shumë edhe nga ata që nuk e kanë luksin e një shtëpie. Bombardimet izraelite shkatërruan 20 mijë shtëpi dhe detyruan shumë familje që të jetojnë në tenda lecke e të tjerë të jetojnë te të afërmit. “Hamas” shpërndau para për familjet e mbetura pa strehë në mënyrë që ato të ndërtonin sërish shtëpitë, por bllokada izraelite ka krijuar një mungesë të theksuar të materialeve të ndërtimit. Një vit pas shkatërrimit ka fëmijë që nuk kanë ende një çati mbi kokë. Një tjetër pasojë e situatës së rëndë dhe e varfërisë së madhe është edhe mbipopullimi i banesave që shkakton konflikte të pashmangshme mes njerëzve. Mes familjeve ka situata të tensionuara që shkaktojnë probleme të shëndetit mendor. Shumë prindër kanë gjithashtu depresion dhe ankth dhe janë të paaftë që të duan dhe të kujdesen për fëmijët duke qenë se janë të shkatërruar mendërisht dhe psikologjikisht. Dhuna brenda familjes është rritur dhe fëmijët kanë nisur të humbasin respektin për prindërit. Ata i konsiderojnë prindërit si ca dështakë të paaftë për t’u siguruar një jetë normale. Pjesë e kësaj situate është mungesa e lodrave dhe e kohës që fëmijët duhet të luajnë dhe të gëzojnë fëmijërinë e tyre. Në Gaza nuk ka kinema, teatro, nuk ka asnjë lloj fushe sportive që të funksionojë rregullisht. Të gjitha janë shkatërruar dhe janë shndërruar në rrënoja dhe gërmadha. Edhe deti që ishte i vetmi gëzim dhe vend ku familjet shkonin për të kaluar ditët e nxehta po kërcënohet nga një rrezik i ri. Në të hidhen vazhdimisht të gjitha ujërat e zeza dhe praktikisht shumë zona të tij janë bërë të papërdorshme dhe të ndotura. Kjo sepse izraelitët bombarduan edhe sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza. Edhe shkollat janë dëmtuar rëndë, 221 shkolla kanë dalë jashtë përdorimit nga sulmet. Asnjëra prej tyre nuk riparohet, sepse janë sërish hebrenjtë ata që nuk lejojnë kalimin e materialeve të ndërtimit në Gaza duke e justifikuar një veprim të tillë me faktin se me këtë sebep mund të kalohen materiale për ndërtimin e bombave dhe të raketave. Nuk bëhet fjalë për libra e fletore dhe ato që vijnë zakonisht kalojnë përmes tuneleve që lidhin Gazën me Egjiptin. “Në atë që bën Izraeli ka një kontradiktë të madhe. Ata bëjnë bllokada, bombardojnë me qëllim luftimin e ekstremizmit palestinez, duke harruar se kështu vetëm sa e ushqejnë atë më tepër. Varfëria dhe dëshpërimi i bën njerëzit të dhunshëm dhe këtë hebrenjtë ia kanë arritur më së miri”, thotë një mësuese nga Gaza. Sipas saj, ekstremizmi luftohet duke u dhënë mundësi jetese dhe shkollimi të varfërve, duke ua hapur mendjen dhe duke u treguar rrugë të tjera që duhen ndjekur për ta bërë jetën më interesante dhe më me vlerë.”
Post a Comment