Nicholas Burns u nderua me çmimin Duart e Shpresës nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, një organizatë lobiste që mbron çështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ish nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns, sot profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Harward deklaroi se Kosova ka një të ardhme të madhe.
“Unë kam një mesazh. Tani jam qytetar privat dhe nuk punoj më për qeverinë amerikane por jap mësim në universitet. Mesazhi im është ky: Ju keni një të ardhme të madhe. Keni një të ardhme në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo e ardhme është juaja të cilën do ta fitoni me mençurinë, krijimtarinë, me politikat e mira dhe duke u mbështetur në mikun tuaj të mirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha zoti Nicholas Burns.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe komuniteti shqiptar i Amerikës e nderoi ish- zyrtarin amerikan për rolin e tij në procesin e pavarësimit të Kosovës.
Mes viteve 2006 dhe 2008 Nicholas Burns ka qenë përfaqësuesi kryesor i administratës Bush në procesin e vështirë të pavarësimit të Kosovës.
Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan dha edhe një çmim për Nënë Terezë, bamirësen e madhe me origjinë shqiptare e cila këtë vit mbushi 100-vjetorin e lindjes. Ky është çmimi për arritjet e një jete që organizata jep çdo vit.
Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve ishin të pranishëm udhëheqës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. (INA)
Post a Comment