Një seri kryeveprash mbresëlënëse, të krijuara brenda katër vjetësh nga gjeniu i kitarës. Kjo është vepra e mitit Xhimi
Më 19 shtator të vitit 1970, Xhimi Hendriks i tha “lamtumirë” kësaj bote. Megjithatë duket se këto dyzet vite nuk kanë mjaftuar për ta ndalur atë të ardhme që e priste, së bashku me kitarën e tij të drejtuar nga qielli. Arsyeja që trashëgimia e tij vazhdon të jetë gjallë, nga disqet që vazhdojnë të shiten, te bumi i autobiografive, reklamat, kolonat zanore, stili hendriksiano-hipi, ndoshta është pikërisht kjo. Duke u mbështetur edhe te dhuntia speciale, ajo që e dallon gjeniun nga artisti i thjeshtë me talent, Hendriks arriti, duke filluar nga bluzi, të gjente brenda vetes sekretet e universit që njeriu i kërkonte në hapësirë. Ishte një “VoodooChild”. Kështu e quante veten. Një njeri i devotshëm ndaj jetës, drogave dhe emocioneve; Xhimi nuk njihte kufij. Në katër vjet karrierë arriti të linte një shenjë të shndritshme në muzikën rok dhe shumë këngë të pavdekshme që i kanë rezistuar në mënyrë magjike kohës.
Hendriks ishte një prej ikonave më të mëdha të viteve ‘60. Vdekja e tij është një prej ngjarjeve më të trishtuara të historisë së muzikës rok.
Hendriks ishte artisti më i shfrytëzuar nga industria diskografike, e cila nuk hezitoi të publikonte të gjitha pjesët e luajtura prej tij. Xhimi regjistroi dy albume të mëdha (të parin dhe të tretin), por mbi të gjitha i dha jetë një stili loje në kitarë, që më pas u kopjua nga të gjithë kitaristët. Gjithsesi është shumë e vështirë të ndash faktet e jetës së tij nga thashethemet dhe spekulimet. Kritikët mendonin se ai do të futej më shumë në zhanrin e xhazit, e më pas do të zhytej më thellë në bluz. Thuhet se ishte shumë i ngatërruar me atë çka dëshironte të bënte realisht. Të tilla konfuzione përbëjnë edhe të vërtetën mbi vdekjen e tij: versione kontradiktore për ditët e fundit të jetës, të cilat janë dhënë nga të afërmit gjatë asaj kohe. Thuhet se ka qenë duke punuar shumë për albumin e tij të ri, titulluar “First Ray of the New Rising Sun”, kur vdiq në Londër, më 19 shtator të vitit 1970, nga shkaqe të lidhura me drogën. Deri më tani versioni zyrtar i historisë ka mbetur i mbyllur mes mureve të harruara të hotelit “Samarkand”, ku Hendriks jetonte në atë kohë me Monika Danenmen, një vajzë të cilën e kishte njohur pak ditë para se të vdiste. Ndërsa versioni i policisë është ky: infermierët e ambulancës e gjetën trupin e pajetë të kitaristit të shtrirë përmbys, në mes të dhomës bosh. Rubineti i gazit ishte i hapur, dera ishte gjysmë e hapur, nuk kishte asnjë gjurmë të personit që i kishte telefonuar ndihmës së shpejtë.
Duke analizuar diskografinë e tij zyrtare, vërehet një rritje e vazhdueshme profesionale. Për të riafirmuar një herë e përgjithmonë talentin e tij, do të mjaftonte të kujtonim krijimet fenomenale “All Along the Watchtower”, homazhin ndaj muzikës bluz “Red House”, “Foxy Lady”, “Little Wing”, “VoodooChild”, “Star Spangled Banner”, himnin zyrtar të Shteteve të Bashkuara, të prezantuar ditën e fundit të Festivalit të “Woodstock”-ut. Për fatin tonë dhe të gjithë atyre që e adhurojnë muzikën, ka shumë mrekulli hendriksiane që duhen zbuluar.
Shumë muzikantë e kujtojnë ardhjen e tij në Londër në vitin 1966, kur Hendriks ishte vetëm 25 vjeç. Ai djalosh i zi, që kishte ardhur në Siatëll, mund të krahasohej vetëm me një gjeni. Në koncertet “dal vivo” ishte i paarritshëm: “Kur e pashë për herë të parë, thjesht mendova: ‘Ndoshta do të jetë më mirë të ndërrojë zanat’”, kujton Jeff Beck. Dëshmi të tilla e pasurojnë edhe më shumë figurën e mitit Hendriks. Duhet theksuar se në Londër Xhimi kishte gjetur një territor pjellor. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ku bluzi konsiderohej ekskluzivisht “muzikë për zezakët”, në Angli disqet e Howlin’Wolf, Muddy Waters, Robert Johnson dhe B. B. King po bënin namin, madje ishin pjesë e familjes së madhe rok-bluz, në të cilën bënin pjesë edhe grupet “Stones”, “Cream”, “Who” dhe “Animals”. Me fjalë të tjera Xhimi përfaqësonte për Xheger, Klepton gjithçka që ata dëshironin të ishin. Imazhi i kitarës së flakëruar në duar ka mbetur në kujtesën e shumë spektatorëve gjatë shfaqjeve në festivalin e Monterejt, “Woodstock” dhe në Amerikë.
Xhimi nuk ishte vetëm muzikant. Ai merrej edhe me çështje të tjera, me mbrojtjen e zezakëve dhe mbështeste lëvizjen e “Black Panther”. Këtë e dëshmojnë edhe dokumentet e FBI-së. Vdekja e tij e ardhur në mënyrë të rastësishme dhe në rrethana ende të paqarta, lë shumë dyshime dhe mëri. Diçka është e sigurt, që Xhimi po përgatitej të punonte me legjendarin Gil Evans për një album dhe një koncert, ku do të shënonin fillimin e një faze krejtësisht të re në karrierën e tij. Ndoshta do të përgatiste edhe një CD me Miles Davis. Natyrisht që e kemi shumë të vështirë ta imagjinojmë Xhimin 67 vjeç (kaq do të ishte sot), duke përsëritur të njëjtit numra spektakolarë, që shumë kolegë të tij rokistë vazhdojnë t’i luajnë.
Post a Comment