Ministri kosovar i Kulturës, Lutfi Haziri, në një intervistë për BBC-në, ka përjashtuar mundësinë e dhënies së eksterritorialitetit kishave dhe manastireve ortodokse serbe.
Ai tha se kjo çështje nuk do të diskutohet asnjëherë me Serbinë, pasi një ide e tillë sipas tij, do të çonte në ndarjen e brendshme të Kosovës.Autoritetet politike dhe fetare në Serbi kanë kërkuar që një pjesë më e madhe e territorit përreth objekteve të trashëgimisë kulturore serbe t’i kalojë Kishës Ortodokse Serbe, siç thuhet për shkaqe sigurie.
BBC: Çfarë mesazhi do të përcillet gjatë javës së trashëgimisë kulturore evropiane, që nis sot në Kosovë.
Haziri: Natyrisht që Kosova hyn këtë vit në në agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur për aspektin kulturor të shënimit të trashëgimisë kulturore. Janë rritur kapacitetet këta muajt e fundit edhe në kuptimin buxhetor, edhe në kuptimin e kujdesit që qeveria po ndërmerr ndaj trashëgimisë kulturore. Nuk është e tepër të konstatohet edhe një herë që Kosova është një thesar në vete i trashëgimisë kulturore që i jep dimension të vlerave universale trashëgimisë kulturore, përfshirë të gjitha periudhat e njerëzimit, qofshin ato trashëgimi arkeologjike, qofshin ato të luajshme apo të paluajtshme. Kosova në të gjitha periudhat kohore, prej kohës iliro-dardane, në kohën romake, në kohën e bizantit, të perandorisë osmane dhe në kohën më të re shënon vlera të mëdha të trashëgimisë kultuore që i takon të gjithë popujve në Kosovë.
BBC: Z.ministër kjo trashëgimi e pasur kulturore dhe historike ka pësuar gjatë viteve të nëntëdhjeta por edhe pas luftës, sidomos në trazirat e vitit 2004 kur u dëmtuan kishat e manastiret serbe. Kjo çështje u politizua dhe ishte pjesë e bisedimeve për statusin e Kosovës. Çfarë është sot gjendja e kësaj pjese të trashëgimisë kulturore serbe që u dëmtua në këto trazira?
Haziri: Ditët tragjike të vitit 2004 dhe dëmtimi i një pjese të manastireve dhe kishave ortodokse në Kosovë ka lënë gjurmë të thella tek të gjithë ne, por këtë vit mbyllet projekti i renovimit dhe përkujdesjes për të gjitha objektet që kanë qenë pjesërisht apo seriozisht të dëmtuara në ngjarjet tragjike të vitit 2004. Qeveria e Kosovës me buxhetin e vet që është më i madhi, ka arritur të sanojë gjendjen. Tashmë mund të flasim për të gjitha objektet që janë renovuar dhe janë restauruar plotësisht në tërë territorin e Repubikës së Kosovës. Natyrisht edhe politikisht kemi arritur ta përballojmë situatën, ne kemi arritur që ta përfshijmë në komisionet tona të punës edhe klerin ortodoks serb, institucionet relevante. Mund të them që 8.2 milionë euro ka qenë kostoja e përballimit të qeverisë për një segment të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar natyrisht edhe nga donatorët, por kujdesi buxhetor i qeverisë e ka përcaktuar edhe rolin kryesor të qeverisë, sepse është donatori më i madh dhe ka mbetur si i tillë në kuptimin e kujdesit.
BBC: Ka pasur zëra nga Beogradi që kanë kërkuar eksterritorialitet për kishat e manastiret serbe. Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. A është e mundur kjo?
Haziri: Asesi nuk mund të flasim për parimin e eskterritorialitetit të vendosur në raport me Kishës Ortodokse. Kjo çështje është diskutuar edhe në procesin e Vjenës, është arsyetuar dhe delegacioni i Kosovës ka arritur të bindë ndërmjetësuesin ndërkombëtar dhe Grupin Ndërkombëtar se si parim ky është i paqëndrueshëm në Kosovë, është ndarës dhe çon drejt ndarjes së etnive në Kosovë, është determinues drejt një ndarje të brendshme të Kosovës që është e papërballueshme. Parimi pronësor është vendosur dhe parimi i zonës mbrojtëse ka qenë kryesor në raport me Kishën Orotodokse Serbe, manastiret dhe pronën që mund ta kenë në Republikën e Kosovës. Parimi i zonës mbrojtëse është pranuar sepse nuk e prek interesin e pronës private, nuk e prek interesin e pronës publike, por determinon një zonë e cila në kuptimin urbanistik dhe në kuptimin politik e ruan funksionimin e Kishës Orotodokse Serbe në Kosovë. Emri, struktura, organizimi kanunor dhe hierarkia sipas Kishës Orotodokse Serbe pranohet plotësisht në Kosovë, që nënkupton autoqefalia e Kishës Orotodokse Serbe nuk është vendosur asnjëherë në pikëpyetje. Por parimi i eksterritorialitit e dëmton Kishën Orotodokse Serbe dhe si i tillë është i papranueshëm.
BBC: Dhe ju nuk do të lejoni që kjo të ndodhë?
Haziri: Absolutisht në asnjë mënyrë kjo nuk mund të ndodhë, sepse nëse kombinohet ky parim me parimet tjera që janë lansuar nga qendra politike jashtë Kosovës, Kosova shkon drejt një ndarje apo shkon në drejtim të ndarjes së brendshme, e ndarja e brendshme nënkupton edhe ndarje territoriale të Kosovës që është e papranueshme dhe ka qenë kriteri kryesor në procesin negociator për statusin se nuk mund të bisedohet për ndarjen.
BBC: Z.ministër, këto ditë ka filluar procesi i bartjes së përgjegjësive për ruajtjen e objekteve fetare nga KFOR-i tek policia e Kosovës. Përse duhet forcat e rendit të kujdesen për këto objekte, nëse gjendja viteve të fundit është përmirësuar?
Haziri: Është në kuadër të obligimeve tona që i kemi sepse vetëm zonat mbrojtëse nuk janë të mjaftueshme për të krijuar ndjenjën e sigurisë te komuniteti etnik, në veçanti te besimtarët ortodoks. Prezenca e policisë përreth kishave dhe manastireve në këtë fazë është më shumë siguri për besimtarët ortodoks sesa nevojë që policia duhet të jetë atje. Duke pasur parasysh edhe mandatin e KFOR-it në Kosovë dhe gatishmërinë që policia e Kosovës ta merr mbi vete këtë përgjegjësi, natyrisht që ne si qeveri jemi të gatshëm ta bartim përgjegjësinë edhe të ruajtjes fizike të objekteve për të cilat po flasim.
nga BBCAlbanian.com
Post a Comment