Në vazhdën e takimeve të shumta dhe të komunikimeve intensive që po zhvillon me vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, takoi sot në Nju Jork Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Zambisë, Kabinga Pande, bene te ditur zyra per informim e Ministrit te Puneve te Jashtme te Kosoves.
Ministri Hyseni dhe Ministri i Zambise, Pande |
Ne kete komunikate poashtu thuhet se Ministri Hyseni ka folur për zhvillimet më të f Kundit rreth Kosovës dhe të arriturat e shtetit më të ri, si në planin e konsolidimit të tij të brendshëm ashtu dhe ndërkombëtar. Në diskutimin e tij, Ministri është ndalur në veçanti te përmbajtja dhe rëndësia e mendimit këshillëdhënës të 22 korrikut të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe te rezoluta e 9 shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përkitazi me këtë Mendim.
Ministri Hyseni është shprehur se, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka folur qartë më 22 korrik, duke hequr çfarëdo dyshimi që mund të ketë ekzistuar për sa i përket ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, pasi Gjykata në të gjitha pikat ka vendosur në favor të Kosovës. Tutje, Ministri ka vënë theksin edhe te rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila ka mirëpritur Mendimin e Gjykatës. Sa i përket procesit të dialogut, Ministri ka thënë se kjo rezolutë, e hartuar nga Bashkimi Evropian, përfundimisht ka konfirmuar përjashtimin e çfarëdo bisede për statusin, duke theksuar faktin se, rezoluta flet për një proces dialogu për të promovuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Me këtë rast, Ministri ka theksuar se, Republika e Kosovës është e gatshme që të bashkëpunojë me Republikën e Serbisë mbi bazën Shtet-me-Shtet për çështje praktike të interesit të ndërsjellë, derisa të dy shtetet aspirojnë dhe përparojnë drejt integrimeve evropiane.
Në takim, Ministri Hyseni ka përsëritur po ashtu thirrjen drejtuar Qeverisë së Republikës së Zambisë për njohjen e Republikës së Kosovës.
Sa i përket qëndrimit të Zambisë ndaj kërkesës për njohje, Ministri i Jashtëm Kabinga Pande ka thënë se, Zambia është duke e studiuar me kujdes Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe duke i përcjellë nga afër zhvillimet rreth Kosovës, dhe se kërkesa do të shqyrtohet pas kthimit të tij nga vizita në Nju Jork.
Gjatë ditës, Ministri Hyseni është takuar po ashtu edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Shteteve Arabe, Amr Moussa, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë që po qëndrojnë në Nju Jork gjatë sesionit të 65-të plenar të Asamblesë së Përgjithshme. /topLajm
Post a Comment