Trajneri i Interit, Rafael Benitez, u ka vënë kusht krerëve të klubit që të transferojnë tre futbollistë të rinj gjatë janarit, ndryshe do të japë dorëheqjen.
Këtë e ka thënë Benitez të shtunën mbrëma në konferencën për media, pasi me Interin fitoi titullin e botës për klube. Interi të shtunën në finale në Abu Dhabi, mposhti skuadrën nga Kongo, TP Mazembe, me rezultatin 3:0. Trajneri spanjoll këtë edicion vazhdimisht është kritikuar për formën e dobët të skuadrës dhe presidenti i klubit Massimo Moratti, i kishte vënë kusht atij që të fitonte titullin e botës për klube. Interi aktualisht gjendet në mesin e tabelës në Serie A.“Mua më duhet ndihmë tash. Ne kemi lojtarë të lodhur dhe klubi e di se kemi nevojë për së paku tri blerje gjatë janarit. Neve na duhen përforcimet menjëherë, e jo nga mesi apo fundi i janarit. Duhet të kthejmë këtë disavantazh në të cilën gjendemi dhe na duhen përforcime për të realizuar këtë. Mua më ishin premtuar tri përforcime dhe asnjë lojtarë nuk erdhi. Tash kemi tri opsione për ne. Interi mund të blejë tre lojtarë të rinj, plus një mbrojtës për të zëvendësuar Walter Samuelin. Ne mund të vazhdojmë kështu deri në fund dhe pas përfundimit të gjitha fajet të më hidhen mua. Opsioni i tretë është që Interi të arrijë marrëveshje me agjentin tim”, ka thënë Benitez, përcjellin mediumet italiane.
Për të luajtur në Kupën e Botës për klube, Interi u detyrua të shtyjë ndeshjet e Series A kundër Cesenas dhe Fiorentinës. Interi stinorin e kaluar me portugezin Jose Mourinho, fitoi tre titujt e mëdhenj: Ligën e Kampionëve, Serien A dhe Kupën e Italisë.
Por, këtë edicion skuadra nuk është duke ecur në të njëjtën rrugë./gj
Post a Comment