Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit i ka dërguar një letër zyrtare të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për t`i dorëzuar autoriteteve të prokurorisë dëshmitë ose informatat që posedon me qëllim të zbardhjes së akuzave që ngre raporti i tij.
Zëdhënës të EULEX-it në një intervistë për BBC-në theksoi se misioni po kërkon të “formalizojë” kontaktet me zotin Marty pas publikimit të projekt-raportit të tij, pak ditë më parë.
EULEX-i në dekaratat e mëparshme ka thënë se i merr seriozisht të gjitha akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë, por ka kërkuar "dëshmi konkrete" për të zhvilluar hetime.
"Prokuroria e EULEX-it i bazon hetimet në dëshmi konkrete dhe u ka bërë thirrje të gjithëve, përfshirë edhe të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, që, nëse kanë dëshmi konkrete, që mbështesin akuzat e paraqitura në raport, t’i ofrojnë ato tek autoritetet përkatëse," i tha BBC-së pak ditë më parë zëdhënësja e Misionit, Karin Limdal. Ajo thotë se misioni po heton dhe po ndjek një numër të rasteve që ndërlidhen me krimet e luftës dhe krimin e organizuar.
I dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, në një projekt-raport të tij akuzon drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi si përgjegjës për drejtimin e një rrjeti të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore, të marra nga të burgosurit e vrarë.
Projekt-raporti është cilësuar nga zoti Thaçi si “skandaloz” dhe ai vetë ka deklaruar se do të ngrejë padi ndaj, “shpifjeve të zotit Marty”.
Bashkimi Evropian ndërkaq i ka bërë thirrje zotit Marty që të ofrojë dëshmitë për akuzat e bëra në projekt-raportin e tij për trafikim me organet njerëzore.
Më herët në një deklaratë Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme ka thënë se Misioni i BE-së për Rendin dhe Ligjin, që është vendosur në Kosovë, ka hetuar dhe vazhdon të hetojë një numër të rasteve të krimit të organizuar, përfshirë edhe trafikimin me organet njerëzore”.
“Prokurorët dhe hetuesit e misionit të BE-së për Rendin dhe Ligjin kanë hetuar rastin e të ashtuquajturës ‘Shtëpi e Verdhë’, por deri tani, ata nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që do të çonte drejt besimit se “trafikimi i organeve” është kryer në këtë vend”, thuhet në deklaratën e zonjës Kocijançiq.
Projekt-raporti i zotit Marty pritet të diskutohet në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës nga fundi i muajit janar./on
Post a Comment