Nga:SHKELZEN MALIQI
Vjedhja e votës së qytetarëve të Kosovës, që ishte regjistruar në përmasat më...
të vogla që nga viti 2007 dhe pati shënuar rritje edhe në zgjedhjet e vitit 2009, në zgjedhjet e 12 dhjetorit është evidentuar si një dukuri e pamohueshme dhe e dokumentuar. Dhe kjo për pasojë kishte që të merret vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve më 9 janar në pesë komuna, në disa në tërësi dhe në disa pjesërisht. Në Skënderaj, Drenas, Deçan, Malishevë dhe Lipjan janë shënuar parregullsi të hatashme, sepse në kutitë e votimit janë futur mbi 30 mijë vota të manipuluara dhe ilegale, që e kanë devijuar jo vetëm votën në këto komuna, por kanë ndikuar edhe në totalin e votës së partive, për shkak se sistemi i votimit në Kosovë është njëzonal dhe çdo votë akumulohet në totalin e “korrjes” elektorale të partive.
Vetëm në këto komuna, vota është devijuar për rreth 5 për qind, konkretisht rreth 4 për qind në favor të PDK-së dhe rreth 1 për qind në favor të koalicionit të AAK-së me Listën “Ibrahim Rugova”.
Këto 5 % të votës së devijuar, disa i relativizojnë, duke thënë se në këto komuna, sidomos në tri të parat, PDK-ja dhe AAK-ja edhe ashtu kanë qenë favorite dhe fituese të parapaguara të zgjedhjeve, kështu që as rivotimi nuk do të ndryshojë gjë në renditjen e partive.
Por, në fakt, ky 5 përqindësh shënon ndryshim të madh dhe vendimtar, kur përkthehet në mandate të fituara në totalin e votës, sepse pesë mandate pa merita do t’i takonin PDK-së dhe koalicionit AAK-LIR, në dëm të partive të tjera që nuk kanë pasur rekorde të tilla, si PDK-ja dhe AAK-ja në bastionet e tyre (nuk i kam llogaritur mandatet shtesë që fitohen nga ato përqindjet e mbetura të partive që nuk e kanë kaluar pragun prej 5 për qind, ndoshta sepse vota e tyre është vjedhur!)
Por, me këto keqpërdorime të konstatuara dhe të ndëshkuara nuk përfundon tregimi i devijimit të votës. KQZ-ja ka publikuar në raportet e saj preliminare një shënim tjetër të rëndësishëm, që manipulimin dhe devijimin e votës e bën të përmasave edhe më skandaloze. Është thënë se prej 780 mijë fletëvotimeve, sa ka qenë dalja në zgjedhjet e 12 dhjetorit, rreth 70 mijë janë shpallur të pavlefshme, që praktikisht përbën 9 për qind të totalit të votës. Kjo shifër e gabimeve të votuesve është tepër e madhe dhe, praktikisht, e pajustifikueshme dhe mund të merret si një indikacion mjaft i sigurt se edhe në këtë segment duhet të kërkohet një tip tjetër i manipulimit masiv të votës, ku komisionerët që numërojnë votat, me marrëveshje ose sisteme të ndryshme të dëmtimit të fletëvotimeve, një pjesë të tyre, ku është votuar për parti të tjera e të vogla, i bëjnë të pavlefshme!
Nëse supozohet se ndër ato 70 mijë vota të shpallura të pavlefshme, megjithatë ka të tilla që vërtet janë pasojë e edukatës së ulët të elektoratit, ngase nuk i kanë përvetësuar rregullat e votimit dhe të shenjësimit - le të jetë që të tillë të janë gjysma ose edhe 60 për qind - unë jam i bindur se të paktën 40 për qind të votave të anuluara janë rezultat i “manifakturës” së komisionarëve të korruptuar. Me këtë 40 përqindësh, sërish nxirret një tjetër devijim i votës në shkallën që është dhe po kështu përbën 5-përqindëshin e totalit, në mos edhe më shumë. Dhe për këtë, 5-përqindësh tjetër, sigurisht se faji nuk duhet të adresohet vetëm në dy partitë që u përmendën më herët, por ka vend për dyshime që manipulime të këtij lloji janë bërë edhe në bastionet e partive të tjera, para së gjithash të LDK-së.
Për mundësinë reale të këtij manipulimi me votën e partive të vogla, dëshmi mund të jetë rezultati relativisht më i ulët i FER-it dhe Vetëvendosjes në tabelën preliminare të KQZ-së, në krahasim me disa anketa që janë bërë para zgjedhjeve, si dhe rezultatin e Exit Pollit, ky i fundit i realizuar nëpërmjet anketimit të votuesve në dalje nga vendvotimet. Në krahasim me këto anketa, FER-i dhe Vetëvendosja dalin të shkurtër të paktën për 5 %, sa edhe është supozimi i dëmtimeve të qëllimshme të fletëvotimeve me votën në favor të këtyre dy subjekteve të reja politike, që për herë të parë garuan në zgjedhje.
Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e pjesshëm të votave ndoshta mund të zbulojë edhe përmasat e këtij manipulimi të dytë, por nuk kemi informata nëse ky rinumërim përfshin edhe kontrollin e fletëvotimeve të shpallura si të pavlefshme. Në të vërtetë, do të duhej të ekzistonte një mekanizëm i përhershëm i kontrollit të dyfishtë të votave që janë shpallur të pavlefshme, jo vetëm nga komisionarët që i numërojnë ato, por edhe nga një komision qendror, i cili do të mund të konstatonte nëse gabimi është “origjinal” i votuesit, apo është bërë nga persona të tjerë.
Sidoqoftë, indikacionet serioze, pjesërisht të dokumentuara, për devijimin e votës në shkallën prej të paktën 10 %, përbëjnë vërtet momentin tejet kritik që do ta sjellë në pyetje legjitimitetin e zgjedhjeve, edhe pas riparimit të pjesshëm më 9 janar.
I gjithë sistemi dhe procesi zgjedhor duhet të reflektohet seriozisht, prej çështjes së pastrimit të listave zgjedhore deri te procedurat e votimit dhe të numërimit dhe, çka është me rëndësi jetike, edhe të masave të ndëshkimit të manipulimeve të votës. Një pjesë e fajit për skandalin qëndron edhe në ngathtësinë e prokurorive që të ndjekin rastet e keqpërdorimeve të mëhershme të votës. Kësaj here, kjo nuk duhet të ndodhë. Vetëm se as politikanët nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia, sepse joefikasiteti i prokurorisë dhe gjyqeve kushtëzohet nga bllokadat dhe veprimet korruptive të politikanëve./pa
Post a Comment