Mesfushori kosovar, Valon Behrami, ka arritur marrëveshje me skuadrën italiane Fiorentina, kanë njoftuar të mërkurën pasdite mediumet e Italisë. Sipas mediumeve, ka mbetur vetëm
që Behrami 25-vjeçar t'u nënshtrohet kontrollimeve mjekësore, për t’u prezantuar zyrtarisht te Fiorentina. Prezantimi i reprezentuesit të Zvicrës do të bëhet gjatë kësaj jave.Drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, krahas marrëveshjes me Behramin ka arritur akordin edhe me drejtuesit e skuadrës së kosovarit, asaj angleze, West Ham. West Hami pritet të përfitojnë rreth gjashtë milionë euro në emër të dëmshpërblimit. Behrami me skuadrën italiane do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare.
"Fiorentina ka arritur marrëveshje me Behramin, i cili do të prezantohet shumë shpejt, pasi tashmë është pajtuar me kontratën e vlefshme deri në vitin 2015", ka shkruar sajti "Viola News" që është i afërt me klubin e Fiorentinës.
"Drejtoi sportiv Corvino është pajtuar edhe me krerët e West Hamit që për Behramin kanë kërkuar një dëmshpërblim prej gjashtë milionë eurosh".
Fiorentina besohet të ketë fituar garën me shumë skuadra të tjera të Serie A për Behramin. Në transferimin e tij kishin insistuar edhe Genoa, Sampdoria e Lazio. Në të vërtetë, është pritur që Behrami në afatin e janarit të transferohet te Roma. Por pronarët e këtij klubi në fund hoqën dorë nga blerja e futbollistit këmbëshpejtë për shkak të shpenzimeve të mëdha. Edhe një grup ultras i tifozëve të Romës u deklarua kundër blerjes së Behramit, për shkak se ai më herët kishte luajtur për rivalin e madh të Romës, Lazion.
Fiorentina është kampione e dyfishtë e Italisë. Ka fituar edhe gjashtë kupa të këtij vendi. Aktualisht zë pozitën e 15-të me 19 pikë të mbledhura në 16 ndeshje. /indeksonline
Post a Comment