Kundër rrymës ishte që ditën e parë që u bë pjesë e shtëpisë së “Big Brother”, e i tillë vazhdon të jetë edhe tashmë që ka dalë, pas gati dy muajsh, nga kjo shtëpi. Por ama, ka dalë me një fitore personale.
Pikërisht ka fituar tolerancën. Algen Nikolla, djaloshi simpatik rrëfen për gazetën “Mapo” eksperiencën e tij në shtëpinë e vëzhguar, ku cilëson se niveli i banorëve linte
mjaft për të dëshiruar. Për më tepër, le të ndjekim këtë intervistë me të…
Algen, e prisnit që të dilnit të shtunën nga loja?
Jo. Nuk e prisja, por as nuk më surprizoi.
Të erdhi keq që e le lojën në mes?
Një moment ishte, por dola me shumë qejf.
Kjo sepse ishit mërzitur në shtëpi?
Nuk është se isha mërzitur në shtëpi, por nuk ja vlente më të rrija brenda sepse niveli i banorëve, niveli i bisedave, detyrimisht herët apo vonë do të çonte që unë të nxirrja anën më të keqe. Sepse kur një person nuk ka nivel, ose e ka nivelin shumë, shumë të ulët, që të bësh biseda më ta duhet të ulesh në nivelin e tyre, por aty të mund sepse luan në terrenin e vet.
Kujt i referohesh konkretisht, kur flet për nivelin e ulët?
Të filloj me të parin dhe të mbaroj me të fundit?! Të gjithë! Të gjithë, përveç Mirjetës. Mirjeta sepse kishte diçka, që ishte personi më i pastër aty, kurse të tjerët secili luante rolin e vet.
Një kandidat fitues?
Fitues jo… mesa po shoh, edhe nga ndjekja që i bëjnë kamerat, gjithçka, të lënë të mendosh që kanë ndërmend t’ia japin Ogrenit ose Nedës, më saktë Ogrenës dhe Nedit.
Kjo është arsyeja përse ju nuk luftuat më për të qenë brenda?
Nuk është puna se nuk luftova më, po për mua ishte një lojë, ishte shumë e pilotuar, shumë tendencioze, kjo puna e çifteve, që me çdo kusht e me çdo çmim duhet të krijoheshin, kishte një arsye.
Për sa i përket çifteve, pati një afrimitet mes teje dhe Elisës… mos kjo është arsyeja që ajo doli nga loja?
Mund të mendoj shumë gjëra. Por në lidhje me Elisën jemi shumë shok, dhe është një shoqëri që vazhdon.
Megjithatë, ju për pak latë lojën kur doli Elisa…
Mbasi doli Elisa, doli dhe Emilio, dy personat që vlerësoja shumë në atë shtëpi dhe mu duk se nuk meritonin të dilnin ata. Kishte shumë, shumë të tjerë, që nuk kishin dhënë asnjë gjë në shtëpi deri në atë moment, dhe akoma nuk kanë dhënë asnjë gjë, as për show-n, as për shtëpinë…
Po ti vetë çfarë dhe?
Unë dhashë Algenin, shumë tolerant. Po shumë ama…
Pse, nuk është Algeni tolerant?
Algeni është… Dëgjo, budallai nuk bëhet i mençur me zor. Kështu që nuk është e lehtë të bëhesh as tolerant. Persona që nuk kanë nivel komunikimi, që nuk arrij të kem një komunikim me ta, përse duhet të komunikoj. Unë u tregova shumë tolerant sepse kam komunikuar me persona, që me Algenin e përditshëm do të kishin vetëm një përshëndetje rutinë… Në jetën e përditshme, nuk i shoh në asnjë pjesë të horizontit tim.
Mendoni se qëndrimi juaj në “Big Brother” është pasqyruar mirë në ekranet e reality show-t?
Për këtë akoma nuk jap dot një përgjigje se ende nuk kam parë gjithçka që ka dalë për mua. Por do shohim. Do t’i lë pak kohë vetes për të parë çfarë ka dalë dhe çfarë jo, dhe pastaj do të jap edhe unë gjykimin, se kështu është në modë gjykimi, paragjykimi… por si paragjykim njëherë është herët…
Ju ka ardhur keq që kur ishit në shtëpi është zbuluar disi jeta juaj personale?
Për atë që ka dalë, kam parë që kanë bërë kopjime të gazetave të huaja, dhe ndonjë gjë e kanë shpikur, por jeta private është private dhe duhet të ngelet e tillë. Janë gjëra dhe histori që kur mbyllen, nuk shoh çfarë motivi ka t’i nxjerrësh…
Mendon se ka ndikuar për keq për ju, tek votuesit?
Nuk e di, nuk e kam ende idenë se çfarë ka dalë... por nëse votuesit janë influencuar nga kjo, do të më vinte keq, megjithatë nuk ma do mendja.
Do ta ndiqni “Big Borther”-in në vazhdim?
Absolutisht po. Do shkoj në show, sepse së pari e kam të detyruar me kontratë.
Dëshira jote është e tillë?
Dëshira ime? Jam jashtë shtëpisë, por jam prapë në lojë. Çmimi final është për ata që do arrijnë të rezistojnë aty.
Po fitimi juaj, cili ishte?
Fitimi im ishte moral. Sepse në radhë të parë arrita të kuptoj që jam shumë, shumë tolerant dhe këtë arrita ta kuptoj gjatë kësaj kohe që isha në BB. Pastaj më dha shumë kënaqësi fakti se kur dola dhe hyra në studio pata mjaft duartrokitje. Më dha kënaqësi fakti që tek Fan Club, i drejtuar nga Eno Popi pashë një ‘feedback’ shumë të mirë timin, në internet kam parë këto ditë mjaft
komente pozitive për mua dhe i falënderoj të gjithë.
E vërtetë që keni festuar 35-vjetorin pas daljes nga BB?
Nuk kam festuar, se nuk kisha gjë për të festuar. Ne dolëm shumë vonë nga BB dhe ikëm bashkë me grupin që ishim në spektakël, në një lokal ku pimë diçka. U bënë ca foto, që duhet të ishin personale, më erdhi keq që i pashë diku tjetër, por unë festat i bëj me miqtë e mi dhe miqtë e mi, kur të kem festë, do të jenë të gjithë.
Kujt do t’ia jepte çmimin Algeni?
Për mua duhet ta fitojë Mirjeta!
Por në show thatë që votat do t’ia jepnit Shkëlqimit…
Eh… Tashmë kuptova që Shkëlqimi është shumë flamur, shumë fytyra dhe absolutisht e meriton Mirjeta.
Kur patë klipin e komenteve për ty, pati ndonjë që ju zhgënjeu?
Absolutisht jo, sepse nuk i marr fare në konsideratë dhe e përsëris janë persona që nuk i shoh në ndonjë horizont të jetës sime.
Çfarë ndryshoi BB në jetën tuaj dhe ku mendoni se do të keni më shumë sukses tani e tutje?
Kam pak ditë jashtë dhe pi të njëjtën kafe që pi gjithmonë, me miqtë e mi, frekuentoj të njëtjat vende që kam frekuentuar gjithmonë, kam të njëjtën shoqëri që kam pasur gjithmonë, që mezi prisnin të më takonin. Gjëja më e bukur është që më përshëndesin njerëzit në rrugë, fansa është fjalë e madhe, por ka njerëz që më japin komplimente e më mbështesin, çka më bën qejfin. Suksesi varet pastaj, ishte mjaft fakti që arrita të rri aq ditë brenda në shtëpi dhe tani të shohim çdo ndodhë.
Post a Comment