«E diela shqiptare» dhe «E Diella», janë vënë në konkurrencë të hapur mes tyre për të fituar audiencën e lakmuar të së dielës, në një garë të vërtet profesionalizmi dhe investimi.
Dita e dielë asnjëherë nuk kishte mundur të hynte në ambicien e përmbushur të televizioneve për një prodhim dinjitoz që t’i përgjigjej interesit të publikut për një program zbavitës.
Një boshllëk që dy gjigantët e medias vizive, Klan dhe Top Channel vendosën ta mbushin në të njëjtin sezon, në të njëjtën ditë dhe orë, duke përballur më të mirët.
Asnjëherë televizionet shqiptare, nuk kishin njohur një shpërthim të tillë: programe, spektakle, show të llojeve të ndryshme, informacione të shpejta dhe konkuruese, por çfarë është më e rëndësishme, prodhime që flasin shqip.
Spektakle apo prodhime të ndryshme televizive, kanë vërshyer në televizionet kryesore. Vrapi i prodhimit ka pushtuar të gjithë televizionet që garojnë midis tyre. Kryesojnë TV Klan dhe Top-Channel. Pasi kanë hedhur në lojë shuma të konsiderueshme parash, pasi kanë investuar seriozisht në teknologji dhe njerëz, tani po mendojnë veç për vazhdimësinë.
Ata janë mbërthyer nga ethet e prodhimit. Por jo të gjitha gjërat janë të lehta për palët. Rivalët privatë luftojnë për vendosjen e pushteteve të tyre. Sapo nis një program apo spektakël në njërin prej televizioneve në garë, tregohet i gatshëm të përgjigjet televizioni tjetër. Dhe nuk konkurohet vetëm me emrat e gazetarëve apo pagesën e tyre.
Tashmë gara është ashpërsuar sidomos në disa elementë të rëndësishëm, si: konkurrenca e vetë programeve, idetë dhe realizimi i tyre, por edhe konkurrencë me ditët dhe oraret e transmetimit.
Shembulli më tipik i këtij sezoni është e diela, një ditë e cilësuar deri më tash si «e vdekur », pasi asnjëherë nuk kishte mundur të hynte në ambicien e përmbushur të tyre për një prodhim dinjitoz që t’i përgjigjej tipizimit të veçantë të kësaj dite. Një boshllëk që dy gjigantët vendosën ta mbushin në të njëjtin sezon, në të njëjtën ditë dhe orë.
“Beteja”
E pranojnë ose jo të dyja palët, konkurrenca ka hyrë e fortë. Beteja për audiencën e së dielës është shndërruar papritur në betejën më të ashpër të javës, ku rivalët konkurrojnë mes tyre. Nuk është fjala vetëm për televizionet Klan dhe Top Channel, por sidomos për emrat e protagonistëve të programeve “E diela shqiptare” dhe “E Diell”.
Ardit Gjebrea dhe Adi Krasta janë pa asnjë diskutim dy prezantuesit më të mirë shqiptar. Duke qenë i pari artist, ndërsa i dyti prezantues, Gjebrea e ka ushtruar ndër vite këtë zanat në mënyrë sporadike por shumë të suksesshme, ndërsa Krasta në mënyrë të vazhdueshme dhe njëkohësisht të suksesshme. Koha e ndërmjetme e Gjebresë i ka shërbyer krijimtarisë artistike dhe producentit, ndërsa ajo e Krastës, rikuperimit të ideve dhe ambicieve të reja.
Të dy kanë drejtuar festivale, Mise, madje edhe Telebingoja Kombëtare është pasuar nga duart e Gjebresë në duart e Krastës. Një sfidë e vazhdueshme, por gjithsesi e kujdesshme.
Të dy kanë armët e tyre në lojë. Gjebrea “Këngën Magjike” dhe muzikën në tërësi, ndërsa Krasta forcën e fjalës dhe të argumentit. Një rivalitet xhentelmenësh që vjen e rikulmon pikërisht gjatë këtij sezoni me programin e së dielës në dy prej ekraneve më të ndjekura shqiptare.
Të dy e kalojnë në heshtje faktin e konkurrencës, duke preferuar ta bëjnë por jo të flasin për të. Tregu mediatik ka vend për këdo, por në fund është audienca ajo që diferencon cilësinë dhe rendit më të mirin në treg.
«E diela shqiptare» në Tv Klan
Arditi, i vetëm përballë të gjithëve
Nuk është aspak një aventurë, por mision i shkuar deri në fund. Ardit Gjebrea, i vetëm përballë të gjithëve. Një drejtues dhe artist i kompletuar që për gjashtë orë drejton një spektakël maratonë. Ai krijon atmosferë, ngjall simpati, bën batuta, di të improvizojë dhe të sillet si zot shtëpie, e mbi të gjitha të këndojë dhe të kërcejë aq sa një showmen. Nuk duhet më shumë për t’i vënë shpatullat një spektakli të tillë veç vullnetit dhe guximit për ta bërë atë.
Vetëm Ardit Gjebrea mund të hidhte hapin e parë të një programi specifik të së dielës, duke qenë i tëri ai në qendër të tij. Reklama e programit të ri kishte kohë që transmetohej në Tv Klan dhe publiku dukej kureshtar për të zbuluar surprizat e shumta premtuese. Një serial televiziv prej 6 orësh, që «flinte» në projektet e Gjebresë prej shumë vitesh, por që vendosi ta përmbushë.
«Ne nuk bëjmë shpikje. Jemi bazuar në traditën e televizioneve italiane dhe vendeve të tjera që e kanë traditë programin e së dielës. Programi ka intervista, quize, balet, lojra, etj. Ne përpiqemi që t’i sjellim ato në mënyrë sa më origjinale».
«Të jemi relaksues deri në maksimum për publikun», kjo është motoja e së dielës në Tv Klan. Ashtu si programet simotra italiane ». Dhe sikurse Pipo Baudo në «Domenica in», që përpara çdo festivali të Sanremos merret me prezantimin e këngëtarëve, edhe Gjebrea ka bërë prezantimin e këngëve të Këngës Magjike, një eveniment muzikor ky që njeh si producent vetë Gjebrenë e që do transmetohet sërish në Tv Klan.
Po kështu në rubrikën e Talk Showt, gjatë gjithë sezonit do kemi mundësi të ndjekim biseda e debate mes personazheve që pranojnë t’i nënshtrohen spontanitetit dhe të bëhen pjesë e lojës së hapur televizive, intervista me të ftuar nga fusha të ndryshme, informacione nga sporti, etj, Ndërsa e gjithë fija lidhëse e këtij superprodhimi kalon përmes emrit të Ardit Gjebresë.
Në fakt kjo eksperiencë nuk ishte e panjohur për Arditin. 8 vjet më parë ai i dha fund një aventure prej 120 së dielash në drejtimin e Telebingos shqiptare në valët e TVSH, ndonëse me një orar më të reduktuar që zgjaste deri në tre orë e gjysmë.
Kjo për Gjebrenë duket se ka qenë një marrëdhënie e bukur, por që e ka lodhur disi, ndaj dhe asaj kohe, me përfundimin e programit thotë se i kishte premtuar vetes se «nuk do ta bëj kurrë më». Por si gjithë gjërat e bukura që të lodhin, edhe kjo histori me vitet nisi t’i mungojë nga pak. Prandaj edhe ideja për të mbushur të dielën shqiptare u ringjall sërish tek Arditi.
«E Diella » e Top Channel - qetësia për të vazhduar
Adi Krasta,
Ndonëse data e startimit të programit të së dielës në Top Channel, nisi një javë më vonë nga TV Klan, një program i tillë argëtues dhe shumëdimensional si ky që autorët e kanë pagëzuar «E Diell», kishte kohë që ekzistonte si projekt edhe në strukturat e këtij televizioni të fuqishëm.
Duke qenë se formate të tilla televizive janë eksperimentuar kryesisht në Itali, dukej sikur “E Diell” do të ishte një kopje e “Buona Domenica” apo “Domenica in”.
Mirëpo prezantuesit e saj pohojnë se e vetmja e përbashkët që “E Diell” ka me këto programe është kohëzgjatja dhe dita e transmetimit, ndërsa përmbajtja dhe zhvillimi janë të ndryshme. Sipas tyre, “E Diell” është një program shqiptar dhe si i tillë përçon rubrika interesante dhe të lexueshme për publikun shqiptar.
Top Channel, mjaft novator në aplikimin e formulave dhe formateve të reja televizive, duket se «përplasjen» më të fortë të sezonit e ka me programin e së dielës, për të cilin, ndryshe nga Klan, ka vënë në funksion një emër të spikatur, ku përkrah gazetarit mjaft të njohur Adi Krasta, është Xhemi Shehu. Femrat e tjera si Marina dhe Luana Vjollca nuk janë aspak një garniturë, por përkundrazi emra të njohur të ekranit që mbajnë mbi supe eksperienca të suksesshme.
Nuk kanë qenë të pakët ato që kanë shprehur habi dhe gëzim kur në ekranin e Top Channel nisi së pari të shfaqej reklama për emisionin e ri «E Diell». Kjo për arsyen se Adi Krasta po riciklohej sërish në ekranin e këtij televizioni të fuqishëm, pas përfundimit të kontratës për emisionin e mëngjesit ku ai u përpoq të sillte një model të ri televizivo / radiofonik, i panjohur për publikun shqiptar, por që nuk pati jehonën që mendohej.
Nga ana tjetër askush tjetër përveç Krastës nuk mund të mbulonte ekskluzivisht pjesën e Talk Show- ut, pjesë e rëndësishme e spektaklit, bashkuar me elementë argëtues. Këtë formulë ai kish patur mundësi ta aplikonte në formate të tjera televizive nga ku suksesi kishte qenë përherë i garantuar. Dihet se bashkëbisedimi është ndër pikat e tij më të forta. Prandaj kjo pikë ngelet sërish ekskluziviteti i tij.
Xhemi, jo vetëm imazh
Xhemi Shehu, bukuroshja historike e Top Channel, ka treguar nga dita në ditë se nuk është vetëm e bukur. Ajo ndihet shumë mirë dhe entuziaste për këtë projekt gjigant televiziv, sidomos nga fakti që është në një transmetim të drejtpërdrejtë për pesë orë e gjysmë çdo të diel për publikun shqiptar.
« Unë jam rritur me figurën e Adi Krastës dhe gjithmonë e kam admiruar nëpërmjet ekranit mënyrën e komportimit të tij në skenë. Është një mundësi e mirë për mua për të mësuar gjëra të reja nga ai. Pak rëndësi ka minutazhi i njërit apo i tjetrit në momentin që rezultati që ne presim nga një punë e madhe, është ai i duhuri», komenton Xhemi./shqip
Post a Comment